Transparency International ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025, ku Kosova ka marrë 43 pikë dhe është renditur në vendin e 76-të nga 182 shtete. Krahasuar me vitin paraprak, Kosova ka rënë për një pikë dhe për tri pozita në renditje.
Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ky rezultat tregon stagnim në luftën kundër korrupsionit dhe lidhet drejtpërdrejt me krizën politike dhe parlamentare pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, e cila bllokoi funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave kyçe anti-korrupsion.
Ai theksoi se për herë të parë një qeveri me mandat të plotë nuk ka miratuar strategji kombëtare kundër korrupsionit, ndërsa viti 2025 u mbyll pa emërimin e kryeprokurorit të shtetit, çka ka dobësuar sistemin prokurorial. Me 43 pikë, Kosova renditet në të njëjtin nivel me shtete si Kina, Bregu i Fildishtë dhe Gana.
Nga ana tjetër, Florent Spahija vlerësoi se viti 2025 u karakterizua me hetime dhe aktakuza, por me mungesë të dënimeve gjyqësore për raste korrupsioni, duke ndikuar negativisht në besimin publik ndaj sistemit të drejtësisë.
Sipas tij, mungesa e Kuvendit ka paralizuar reformat në drejtësi, përfshirë miratimin e ligjeve kyçe dhe amendamenteve kushtetuese për vettingun, si dhe ka krijuar pengesa në zbatimin e reformave brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës.




