Avokati Arianit Koci ka kërkuar reagim institucional nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri Albin Kurti, pas konstatimit zyrtar të bërë nga Komisioni Evropian se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015.
Sipas Kocit, Serbia nuk ka të drejtë ligjore të arrestojë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për vepra të pretenduara të kryera në territorin e Kosovës.
Ai theksoi se arrestimet dhe ndjekjet penale ndaj shtetasve të Kosovës, pa kërkesë apo bashkëpunim me institucionet e Kosovës, janë në kundërshtim me obligimet e marra nga Serbia në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Koci bëri të ditur se aktualisht ndodhet në Serbi, ku po përcjell nga afër rastin e arrestimit të Mit’hat Lozhanit. Ai njëkohësisht ka apeluar te qytetarët e Kosovës që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së apo të institucioneve të sigurisë, të shmangin udhëtimin përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut nga ndalimet dhe ndjekjet penale.





