Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor, duke zyrtarizuar përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 57 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 ulëse. Të dhënat janë publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së.
Hapi i radhës institucional është mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit. Sipas rregullores, ajo duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve dhe thirret nga Presidentja e Republikës. Në rast se kjo nuk ndodh, Kuvendi mblidhet automatikisht në ditën e 30-të.
Organizimi i seancës konstituive është përgjegjësi e kryetarit të legjislaturës së kaluar, i cili duhet të zhvillojë konsultime me përfaqësuesit e subjekteve parlamentare, jo më vonë se pesë ditë para mbajtjes së seancës, për përcaktimin e rendit të ditës dhe ulëset e deputetëve.
Rendi i ditës i seancës konstituive përfshin formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve dhe Kuorumit, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit si dhe zgjedhjen e nënkryetarëve.




