Prokurori Matthew Howling ka dhënë deklaratat përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi. Gjatë fjalës së tij, ai pretendoi se drejtuesit e atëhershëm të UÇK-së vepronin në mënyrë të koordinuar për të fshehur krimet e dyshuara dhe për të krijuar një perceptim të rremë te bashkësia ndërkombëtare.
Sipas Howling, të akuzuarit kishin rol të përbashkët dhe të strukturuar brenda Shtabit të UÇK-së, duke mohuar veprimet penale dhe duke, sipas tij, dezinformuar përfaqësues ndërkombëtarë.
Ai deklaroi se Hashim Thaçi ka mohuar krimet dhe ka dhënë informacione të pasakta lidhur me trajtimin e të ndaluarve.
Prokurori po ashtu theksoi se figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë diplomatë dhe zyrtarë ushtarakë, nuk e kanë kuptuar realitetin në terren, duke shtuar se Thaçi kishte aftësinë të maskonte situatën reale gjatë luftës.
Sipas tij, disa prej këtyre përfaqësuesve nuk kanë treguar interes të mjaftueshëm për të kuptuar mënyrën se si funksiononte UÇK-ja në praktikë.
Ndërkohë, gazetarja Rina Mujku raportoi për një pasaktësi në paraqitjen e qëndrimit të Prokurorisë lidhur me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit.
Ajo sqaroi se kryeprokurorja West, gjatë fjalës së saj përfundimtare, ka interpretuar ndryshe deklarimet e dëshmitarëve mbrojtës, duke theksuar se ata nuk kishin dijeni për krimet e dyshuara.
Sipas Prokurorisë, qëllimi i drejtuesve të UÇK-së nuk ka qenë vetëm çlirimi, por edhe forcimi dhe zgjerimi i pushtetit politik pas luftës, pretendim për të cilin është kërkuar dënim deri në 45 vjet burgim për secilin nga të akuzuarit.




