Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë liruar me kusht më 10 shkurt 2026, pas rishikimit të masës së paraburgimit nga gjykatësi përgjegjës në kuadër të procesit të Dhomave të Specializuara.
Sipas vendimit gjyqësor të marrë më 3 shkurt 2026, është vlerësuar se rrethanat kanë ndryshuar krahasuar me rishikimin e fundit në dhjetor, duke bërë që vazhdimi i paraburgimit të mos jetë më i arsyeshëm dhe proporcional. Gjykatësi ka theksuar se në këtë fazë të procedurës, e drejta për liri tejkalon rreziqet e mundshme për pengimin e procesit.
Në vendim janë marrë parasysh edhe koha e kaluar në paraburgim, përfundimi i fazës së paraqitjes së provave, mungesa e rrezikut për arratisje si dhe garancitë financiare të ofruara nga të akuzuarit.
Smakaj dhe Fazliu mbeten të përfshirë në procesin gjyqësor dhe lirimi i tyre shoqërohet me kushte të caktuara, të cilat do të mbikëqyren nga autoritetet përkatëse.




