Avokati amerikan i Hashim Thaçit, Pierre Prosper, ka reaguar ndaj pretendimeve të Prokurorisë në Hagë se dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes kishin informacione të kufizuara.
Prosper e cilësoi këtë qëndrim si arrogant dhe mungesë respekti ndaj profesionistëve që kanë dëshmuar para gjykatës.
Ai tha se kishte biseduar me një diplomat të lartë lidhur me deklaratat e Prokurorisë, duke theksuar se shtatë dëshmitarë ndërkombëtarë kanë kontribuar në përpjekjet për paqe në Kosovë dhe kanë pasur rol aktiv në zhvillimet e kohës. Sipas tij, është e papranueshme të minimizohet përvoja dhe angazhimi i tyre.
Prosper argumentoi se këta dëshmitarë – diplomatë, gjeneralë dhe ekspertë ndërkombëtarë – kanë pasur qasje në informacione nga burime ushtarake, civile dhe diplomatike, si dhe në raportime nga terreni. Ai përmendi emra si gjenerali Wesley Clark, James Rubin, Paul Williams, ambasadori Christopher Hill dhe diplomatë të tjerë, duke theksuar se ata kanë mbajtur pozita të larta dhe kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në proceset politike e diplomatike të kohës.
Sipas Prosper, përpjekja për t’i paraqitur ata si persona me njohuri sipërfaqësore është e pabazë dhe dëmton besimin në procesin gjyqësor. Ai shtoi se qëndrime të tilla kontribuojnë në rritjen e dyshimeve të qeverive ndaj tribunaleve ndërkombëtare.
“Duhet të respektohet roli dhe përvoja e këtyre profesionistëve, si dhe shtetet që ata përfaqësojnë”, theksoi ai, duke shtuar se dëshmitë e tyre janë rezultat i angazhimit serioz dhe analizës së thelluar të situatës në Kosovë gjatë periudhës përkatëse.




