Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ndodhet në Beograd në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Mit’hat Lozhanit, i cili është arrestuar nga policia serbe.
Sipas tij, janë marrë informacione për trajtim fizik të papërshtatshëm, marrje në pyetje të vazhdueshme dhe presion gjatë paraburgimit, pretendime që, siç thekson, duhet të verifikohen menjëherë.
Koci ka kërkuar ekzaminim mjekësor të pavarur, dokumentim zyrtar të çdo lëndimi të mundshëm, sqarim për kushtet e marrjes në pyetje, masa për sigurinë fizike dhe psikologjike si dhe, nëse është e nevojshme, veçim nga të paraburgosurit e tjerë.
Ai ka theksuar se autoritetet që e mbajnë në paraburgim mbajnë përgjegjësi të plotë për jetën dhe shëndetin e tij, duke iu referuar edhe standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në fund, Koci u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta trajtojnë rastin me urgjencë dhe ka apeluar që qytetarët e Kosovës, veçanërisht ish-pjesëtarët e UÇK-së, të shmangin transitin nëpër Serbi deri në garantimin e sigurisë juridike dhe fizike.




