I akuzuari për vrasjen e bashkëshortes, Naim Murseli, ka kërkuar nga Gjykata leje për të komunikuar me fëmijët e tij, të cilët ndodhen në Suedi.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, bëri të ditur se kjo çështje po shqyrtohet dhe janë duke u zhvilluar bisedime me autoritetet suedeze.
Murselit i është refuzuar gjithashtu kërkesa për të biseduar me biznesmenin Behgjet Pacolli dhe me dhëndrin e tij.
Murseli, së bashku me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, akuzohet për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Sipas aktakuzës, Murseli kishte planifikuar vrasjen për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke premtuar Plavës 30 mijë euro.
Kokalla akuzohet për kryerje të veprës në bashkëkryerje. I katërti, Tom Dodaj, i cili ua shiti armën për 280 euro, pranoi fajësinë dhe dënimi i tij u uli nga 5 në 3 vjet nga Apeli.




