Në Kosovë është shënuar Dita Evropiane e numrit unik emergjent 112, përmes aktiviteteve promovuese që nxjerrin në pah rëndësinë e këtij shërbimi për qytetarët.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëri të ditur se numri 112 ka mbi 25 vite në shërbim të qytetarëve në raste emergjente.
Ky numër u aplikua fillimisht si projekt pilot në rajonin e Prizrenit në vitin 2001, për t’u shtrirë më pas në të gjithë territorin e vendit.
AME thekson se shërbimi përmes numrit 112 është pa pagesë dhe funksionon 24 orë në ditë, nga të gjithë operatorët e komunikimeve elektronike në Kosovë.
Sipas agjencisë, funksionimi i këtij sistemi përfaqëson një standard të rëndësishëm në kuadër të orientimit drejt integrimeve evropiane, përfshirë Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile.




