Në prag të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka kërkuar që çështjet kyçe të transmetuesit publik të trajtohen me prioritet institucional.
Përmes një komunikate, sindikata ka kërkuar rritje reale të buxhetit të RTK-së për vitin 2026, duke theksuar se fondet aktuale janë të pamjaftueshme për funksionimin normal të institucionit dhe për realizimin e pagës së 13-të, në përputhje me vendimet për sektorin publik.
SPERTK ka nënvizuar se RTK funksionon mbi bazën e një ligji të veçantë dhe nuk duhet të trajtohet si institucion dytësor.
Sindikata ka ngritur shqetësim edhe për situatën menaxheriale, duke theksuar se të gjitha pozitat drejtuese aktualisht mbahen me ushtrues detyre, çka sipas tyre ka paralizuar vendimmarrjen. Në këtë drejtim, i është bërë thirrje Kuvendit që të emërojë pa vonesë Bordin e ri të RTK-së.
Po ashtu, SPERTK ka theksuar mungesën e stafit në disa sektorë për shkak të pensionimeve dhe ka paralajmëruar masa sindikale, përfshirë edhe grevë, nëse kërkesat nuk adresohen.




