Policia në rajonin e Mitrovicës së Jugut ka nisur një fushatë sensibilizuese për rritjen e sigurisë në trafik, nën moton “Mos lejo që shpejtësia të të udhëheq”.
Gjatë kësaj jave, njësitet policore po zhvillojnë kontrolle të shtuara në rrugë, duke përdorur radarë dhe vetura me pajisje inteligjente për identifikimin e kundërvajtjeve në trafik.
Krahas masave kontrolluese, zyrtarët policorë po shpërndajnë edhe fletushka informuese për drejtuesit e automjeteve, me theks në respektimin e kufizimeve të shpejtësisë, vendosjen e rripit të sigurisë, respektimin e sinjalizimit rrugor dhe kujdesin ndaj të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
Policia u bën apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës në rrugë.




