Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë dje Medaljen Presidenciale “Shën Tereza” Dr. Patrick “Paddy” Dewan, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ofrimin e ndihmës profesionale mjekësore për trajtimin e sëmundjeve të rralla tek fëmijët në Kosovë.
Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se përgjatë viteve, Dr. Dewan ka punuar krah për krah me mjekët tanë në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike. Presidentja vlerësoi përkushtimin e dr. Dewan edhe për angazhimin e tij për të sjellë pajisjet e nevojshme për ndërhyrjet kirurgjike me mbështetjen e çmuar të komunitetit shqiptar në Australi.
Medalja Presidenciale “Shën Tereza” iu nda Dr. Dewan në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe përkushtimin shumëvjeçar për trajnimin e kuadrit mjekësor nga Kosova dhe në shërbim të fëmijëve të Kosovës.




