Autoritetet serbe kanë ndaluar për rreth 20 minuta në pikëkalimin kufitar të Merdarit avokatin Arianit Koci, i cili po udhëtonte si mbrojtës i Mit’hat Lozhanit. Koci ka thënë për KOHËN se është hera e parë që përjeton një situatë të tillë dhe e sheh si një sinjal.
Ai bëri të ditur se autoritetet serbe vetëm e kontrolluan, pa i bërë pyetje të tjera, pasi ishte me automjet zyrtar të Kosovës.
Koci ka kërkuar monitorim ndërkombëtar për trajtimin e Lozhanit, ish-pjesëtar i UÇK-së, i arrestuar më 5 shkurt nga Serbia nën dyshimet për krime lufte gjatë konfliktit 1998-1999 në Dukagjin.
Autoritetet kosovare kanë bërë thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të qytetarëve kosovarë.




