Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se diplomacia shqiptare ka nisur një angazhim të plotë ndërkombëtar për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo theksoi se Kuvendi i Shqipërisë ka folur “me një zë” për luftën çlirimtare të Kosovës dhe për dinjitetin e atyre që e udhëhoqën atë, duke e cilësuar këtë si pjesë të ndërgjegjes kolektive kombëtare.
Sipas Spiropalit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do ta zbatojë këtë qëndrim në çdo forum ndërkombëtar, duke kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin dhe duke kërkuar që drejtësia të jetë e paanshme dhe në përputhje me të vërtetën historike.
Ajo shtoi se Shqipëria qëndron pranë Kosovës dhe familjeve të ish-drejtuesve të luftës, duke theksuar se liria e Kosovës është kapitull i përbashkët i historisë së kombit shqiptar.




