Pesë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, janë deklaruar të pafajshëm në seancën gjyqësore të mbajtur për këtë rast.
Sipas Prokurorisë, vrasja dyshohet të jetë kryer më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, me planifikim dhe bashkëveprim ndërmjet të pandehurve dhe një të mituri.
Aktakuza i ngarkon Haki Belën, Rilind Muratin, Vatan Çakën, Edmond Likën dhe Shkëlqim Kukën se, pas përcjelljes së viktimës nga përfundimi i orarit të punës deri te hyrja e banesës së tij, i mituri Rejhan Bela dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të rreshterit, duke e privuar nga jeta.
Prokuroria pretendon se të pandehurit kishin vëzhguar dhe koordinuar lëvizjet e viktimës përmes përdorimit të veturave, ndërsa pas kryerjes së veprës i mituri është larguar nga vendi i ngjarjes me ndihmën e disa prej tyre.
Në këtë rast, Diamant Gashi akuzohet për dhënie ndihme pas kryerjes së veprës penale, pasi dyshohet se e ka strehuar të miturin, duke i ofruar ndihmë për fshehje dhe shmangie të arrestimit, veprime që sipas Prokurorisë përbëjnë vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve.




