Avokati i Rexhep Selimi, Eric Tully, vazhdoi fjalën përfundimtare në procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke mohuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS) për ekzistencën e një policie të UÇK-së nën komandën e Selimit si ministër i Rendit Publik.
Tully argumentoi se policia ushtarake e UÇK-së pas qershorit 1999 ishte gjithmonë nën komandën e strukturave dhe komandantëve të zonave dhe nuk ka qenë nën përgjegjësinë e Selimit.
Ai e cilësoi pretendimin e ZPS-së si përpjekje për të krijuar përshtypje të gabuar dhe konfirmoi se nuk ka ekzistuar asnjë forcë policore e UÇK-së e drejtuar nga Selimi.
Avokati shtoi se çështjet e tjera të parashtruara, përfshirë shkrimet e dyshuara dhe përjashtimet sipas rregullit 140, do të trajtohen në dosjen përfundimtare të mbrojtjes.




