Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka shprehur respekt për Ramush Haradinajn, duke vlerësuar bashkëpunimin institucional dhe vendimet e përbashkëta në shërbim të shtetit, në periudha jo të lehta për Kosovën.
Hoxhaj ka theksuar se kontributi i Haradinajt dhe i familjes së tij në luftën çlirimtare, si dhe në konsolidimin e shtetësisë, është pjesë e pandashme e rrugëtimit të Republikës.
Sipas tij, Kosova është ndërtuar mbi sakrificë, përgjegjësi dhe vizion shtetformues – vlera që duhet të ruhen dhe të forcohen çdo ditë.
Ai e ka cilësuar aktin e dorëheqjes së Haradinajt si shprehje të vetëdijes së lartë politike të një lideri që zgjedh të hapë rrugë, duke dëshmuar guxim në paqe, ashtu siç ka treguar trimëri në luftë. Sipas Hoxhajt, ky veprim përbën një shembull të rëndësishëm për të ardhmen demokratike të Kosovës.




