Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 nuk është në përputhje me obligimet kushtetuese lidhur me pagesën e shtesës për përvojën e punës për zyrtarët publikë.
Sipas IKD-së, Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin KO79/23 kishte konstatuar se reduktimi i shtesës për përvojë pune gjatë 15 viteve të para të karrierës nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe kishte obliguar Kuvendin që brenda gjashtë muajve të rikthejë pagesën në të paktën 0.5%, me efekt nga 1 shkurti 2024.
Megjithatë, Projektligji për Ndarjet Buxhetore 2026 parasheh që kjo rritje të aplikohet nga 1 janari 2026, çka sipas IKD-së përbën moszbatim të drejtpërdrejtë të aktgjykimit të Kushtetueses. Instituti thekson se një ligj vjetor buxhetor nuk mund të zëvendësojë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
IKD vlerëson se kjo situatë ka shkaktuar dëm financiar për mbi 90 mijë zyrtarë publikë dhe mund të çojë në rritje të padive gjyqësore. Për këtë arsye, i ka bërë thirrje Kuvendit që të mos e miratojë projektligjin në formën aktuale dhe të sigurojë zbatimin e plotë të aktgjykimit, përfshirë pagesën retroaktive nga 1 shkurti 2024.




