Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë mbështetje nga kryetari i Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, kongresisti republikan Keith Self.
Në një letër mbështetëse, Self theksoi besimin e fortë dhe bipartizan të Kongresit amerikan në udhëheqjen e Osmanit, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për Kosovën dhe rajonin.
Ai vlerësoi përkushtimin e saj ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe stabilitetit institucional.
Në mesazh rikonfirmohet mbështetja e SHBA-së për objektivat strategjike dhe ekonomike të Kosovës, përfshirë forcimin e partneritetit euroatlantik dhe inkurajimin e anëtarësimit në NATO.
Kjo mbështetje konsiderohet si dëshmi e vazhdimit të partneritetit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.





