Kuvendi i Kosovës miratoi të premten Projektligjin nr. 10/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, me Bankën Qendrore të Kosovës si agjent të huamarrësit.
Marrëveshja siguron një kredi mbi 629 milionë euro, e cila do të përdoret për mbështetje buxhetore dhe investime zhvillimore, duke u lidhur drejtpërdrejt me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se fondet do të shfrytëzohen për reforma në administratë publike, menaxhimin e financave, digjitalizimin e shërbimeve, infrastrukturë, mjedis, dekarbonizim, energji, arsimin, tregun e punës dhe sundimin e ligjit.
Nga shuma totale, rreth 4.75% do të shkojë për investime rajonale në Ballkanin Perëndimor, ndërsa pjesa tjetër shërben si mbështetje buxhetore për Kosovën.




