Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka rikujtuar qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë jashtë vendit të informohen dhe të vaksinohen paraprakisht, në varësi të rrezikut epidemiologjik të destinacionit.
Sipas institutit, në disa vende mund të rekomandohen vaksina kundër hepatitit B, etheve të verdha, meningjitit (ACYW135), tifos abdominale dhe sëmundjeve të tjera, në përputhje me rregullat ndërkombëtare të shëndetit. Vaksinimi ndryshon nga një destinacion në tjetrin dhe përcaktohet sipas nivelit të rrezikut.
Qytetarëve u rekomandohet të konsultohen dhe të vaksinohen të paktën katër javë para udhëtimit, për të siguruar kohën e nevojshme për zhvillimin e imunitetit.
Për këshilla dhe planifikim të vaksinimit, ata mund t’i drejtohen IKSHPK-së në Prishtinë ose qendrave rajonale të shëndetësisë publike, gjatë orarit zyrtar nga e hëna deri të premten, 08:00–16:00.




