Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në Kuvend gjatë seancës së jashtëzakonshme për buxhetin, theksoi se rishikimi i tij nuk mund të bëhet pa prezantimin e programit të ri qeveritar.
Ai shpjegoi se rendi logjik është: zotimet e fushatës, ekspozeja e kryeministrit, programi qeveritar dhe më pas rishikimi i buxhetit.
Kurti prezantoi disa elemente të reja të buxhetit për vitin 2026, duke përfshirë pagën e 13-të për sektorin publik, e cila këtë vit do të paguhet në pranverë dhe jo në fund të vitit. Ai bëri të ditur se buxheti është afër 4 miliardë euro, ku rreth 1 miliard është dedikuar për investime kapitale.
Për kritikët që e cilësuan buxhetin si të një vendi më të varfër në Evropë, Kurti theksoi se në pesë vitet e fundit buxheti është rritur nga 2.4 miliardë euro në 4 miliardë euro. Ai vuri theksin te rritja reale ekonomike prej së paku 4% dhe progresi stabil që po arrin qeveria, duke shtuar: “Ne jemi të Kosovës dhe e rrisim Kosovën, jo një shtet tjetër.”
Kryeministri po ashtu u përgjigj kritikave për stabilitetin ekonomik, duke theksuar se rritja e qëndrueshme e buxhetit dhe investimeve nuk është “status quo e keqe”, por një progres i dukshëm dhe i qëndrueshëm për vendin.




