Njësia e Trafikut Rajonal në kuadër të Policia e Kosovës, në rajonin e Mitrovicës së Jugut, ka identifikuar tre drejtues automjetesh që po qarkullonin me mbi 150 km/h në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 80 km/h.
Shkeljet janë evidentuar në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në fshatin Maxhunaj, përmes pajisjeve inteligjente për matjen e shpejtësisë.
Ndaj kundërvajtësve janë shqiptuar gjoba nga 300 euro, tre pikë negative dhe masa e ndalimit të drejtimit të mjetit motorik për tre muaj në territorin e Kosovës.
Policia u bën thirrje të gjithë shoferëve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e trafikut për të garantuar sigurinë në rrugë.




