Banka Qendrore e Kosovës bashkë me Bankën Qendrore të Shqipërisë kanë hapur në Prishtinë ekspozitën “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”, një iniciativë që synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për rolin e parasë dhe të bankave qendrore.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, theksoi se ekspozita nuk është vetëm një shfaqje e monedhave dhe kartëmonedhave, por një rrëfim i historisë ekonomike, shoqërore dhe institucionale, duke ndjekur evolucionin e parasë shqiptare gjatë një shekulli. Ai shtoi se hapja e saj në Kosovë përkon me javën e përkujtimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe pasqyron bashkëpunimin e ngushtë mes dy institucioneve financiare.
Ndërsa Gent Sejko nga Banka Qendrore e Shqipërisë vuri në dukje se ekspozita shpalos historinë e monedhës shqiptare në tre epoka kryesore, të formësuar nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike dhe ngjarjet ekonomike. Ai tha se ekspozita në Kosovë ka një kuptim të veçantë për lidhjet historike dhe kulturore mes shqiptarëve dhe për të bërë institucionet financiare më të afërta dhe transparente me publikun.
Ekspozita prezanton edhe programe për shkolla dhe aktivitete për qytetarët, duke ofruar një mundësi për të njohur trashëgiminë ekonomike dhe institucionale të Shqipërisë dhe Kosovës.




