Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Kosova po shënon rritje të vazhdueshme në të gjitha fushat, ndërsa vendi feston 18-vjetorin e Pavarësisë.
Sipas tij, krahas rritjes së numrit të viteve të pavarësisë dhe njohjeve ndërkombëtare, vendi po përjeton zhvillim ekonomik, rritje të mirëqenies së qytetarëve dhe forcim të shtetit.
“Para 18 vjetësh lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por ajo lindi e pjekur, sepse shumë breza veprimtarësh dhe mbarë populli ynë, me gjenerata të panumërta, kontribuan dhe u sakrifikuan që ne sot të jemi të lirë e të pavarur, me një shtet demokratik dhe sovran,” është shprehur Kurti.
Ai theksoi se kjo ditë shënon jo vetëm festë, por edhe nderim për rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Gëzuar 18-vjetorin e Pavarësisë! Kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot,” ka përfunduar ai.





