Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, theksoi se 17 shkurt 2008 shënoi një moment historik për Kosovën, kur vendi shpalli pavarësinë e tij, duke u bërë një shtet sovran dhe demokratik.
“Akt historik që kurorëzoi sakrificën shekullore të popullit tonë për liri, dinjitet dhe vetëvendosje. Kjo ditë kujton rrugëtimin e vështirë të brezave, qëndresën e Ushtrisë Çlirimtare, dhe gjakun e derdhur për lirinë që sot e gëzojmë. Është dita që nderon sakrificën e familjes Jashari, dëshmorët, martirët, të mbijetuarit e dhunës dhe kujtimin e 1,133 fëmijëve të vrarë”, tha Nagavci.
Ajo shtoi se Kosova ka treguar se di të qëndrojë e fortë edhe në kohë të vështira. “Me unitet, punë dhe vizion të qartë, do ta çojmë përpara ëndrrën e atyre që sakrifikuan gjithçka për këtë ditë.”
Nagavci gjithashtu theksoi se Kosova po forcohet çdo ditë, si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.




