Gjatë implementimit të Planit Operativ “Parandalimi i Kontrabandës në Brezin Kufitar”, më 16 shkurt, patrulla e Policisë Kufitare – SPMK Vërmicë – ka vërejtur një barkë në Liqenin e Vërmicës duke kaluar nga Shqipëria drejt Kosovës.
Pas shkarkimit të mallit, personat e dyshuar u larguan shpejt drejt Shqipërisë. Policia Kufitare e Shqipërisë u njoftua menjëherë, dhe po vazhdon bashkëpunimi dhe koordinimi institucional.
Gjatë kontrollit në terren, njësitë policore gjetën një rimorkio me mall të dyshuar si kontrabandë. Në vendngjarje u sekuestruan paketime duhani të përpunuar (500 g secila) nga markat: Marlboro, Dunhill, Davidoff, Parliament, Winston, Sobranie, Pall Mall, Lucky Strike dhe Camel. Sasia totale e duhanit është rreth 1,000 kg.
Prokurori i Shtetit ka rekomanduar sekuestrimin e mallit dhe inicimin e hetimeve për veprën penale “Kontrabandë me mallra”. Rasti po vazhdon të hetohet në bashkëpunim me Doganën e Kosovës.




