Dy raste të mbajtjes në pronësi apo kontroll të paautorizuar të armëve janë evidentuar në Ferizaj dhe Kaçanik.
Më 17 shkurt 2026, rreth orës 21:00, njësiti i hetimeve në Ferizaj ka pranuar informacion se një person posedonte armë zjarri.
Pas veprimeve hetimore dhe bastisjes në një lokal në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me tetë fishekë.
I dyshuari, Sh.R. (24 vjeç), është shoqëruar në stacionin policor për intervistim dhe ka pranuar se arma ishte në pronësi të tij.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi apo kontroll të paautorizuar të armëve”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Ndërkaq, më 18 shkurt 2026, rreth orës 09:10, në fshatin Kotlinë të Kaçanikut, policia ka sekuestruar një pushkë gjuetie me 13 fishekë.
I dyshuari U.L. (45 vjeç) është shoqëruar për intervistim dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.




