Kreu i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, po ndjek nga afër seancën e sotme në Hagë dhe shprehu pritshmëri që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në shtëpi gjatë muajit maj.
“Duke parë zhvillimet e mbrojtjes, që është shumë e fuqishme, pres që në maj të lirohen dhe të organizojmë një festë në dy qendrat shqiptare: në Tiranë dhe në Prishtinë. Besoj fuqishëm në pafajësinë e tyre, pasi mbrojtja hodhi poshtë të gjitha pikat e aktakuzës dhe ekspozoi dokumentacionet e falsifikuara të përgatitura nga prokurorë të përfshirë në këtë proces,” deklaroi Gucati për indeksonline.
Në Hagë, sot po mbahen fjalët përfundimtare në procesin gjyqësor, dhe pas pauzës pritet të flasin vetë ish-krerët: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.




