Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026 me 6 vota për dhe 3 kundër.
Gjatë shqyrtimit, anëtarë të opozitës ngritën shqetësime për mungesë qartësie lidhur me vlerën dhe strukturën e buxhetit. Deputeti Ferat Shala nga PDK tha se projektligji është proceduar me nxitim dhe se nuk ka pasur informacion të mjaftueshëm për ndarjet konkrete sipas sektorëve që mbulon komisioni.
Ai theksoi se mungon qartësia rreth prioriteteve dhe planifikimit buxhetor, veçanërisht në fushën e mjedisit, ujërave dhe planifikimit hapësinor.
Edhe deputetja Albana Bytyqi nga AAK u shpreh kundër votimit të projektligjit në këtë formë, duke theksuar se komisioni duhet të ketë të qartë ndarjen e buxhetit përpara se të propozojë amendamente, për të cilat afati është i kufizuar.
Në anën tjetër, deputeti Artan Abrashi nga LVV argumentoi se projektbuxheti është hartuar në rrethana urgjente dhe se, për shkak të nevojës për miratim të shpejtë, duhet të procedohet përpara për të shmangur vonesa. Ai propozoi organizimin e takimeve pune me përfaqësues të ministrive përkatëse për të harmonizuar politikat dhe ndarjet buxhetore.
Komisioni shqyrtoi Projektligjin nr. 10/L-001 për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026, ndërsa pika për miratimin e fushëveprimtarisë së komisionit u shty për një mbledhje tjetër.




