Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, reagoi pas fjalës përfundimtare të ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – para Gjykatës Speciale në Hagë.
Në një postim në Facebook, Lladrovci theksoi se “vetëm pafajësia për heronjtë tanë të luftës dhe paqes do të ishte vendimi i drejtë”. Ai shtoi se lirimi nga akuzat ndaj tyre është i lidhur ngushtë me Kosovën, vlerat themelore, aleancat strategjike dhe rrugën euro-atlantike të vendit.
“Vlera sublime e Kosovës është UÇK-ja me dëshmorët, martirët, invalidët, veteranët dhe qytetarët e lirë. Për lirinë e Kosovës dhamë krejt çka patëm, punuam sa ditëm dhe sot e gëzojmë atë pa dallim. Liri për heronjtë tanë të luftës dhe paqes! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”, shkroi Lladrovci.




