Presidentja e Vjosa Osmani ka konfirmuar se më 19 shkurt do të udhëtojë drejt Washingtonit për të marrë pjesë në takimin e parë inaugurues të Bordit të Paqes, organizatë ndërkombëtare së cilës i është bashkuar edhe Kosova.
Osmani u shpreh se Kosova ndihet krenare që është bërë pjesë e kësaj nisme së bashku me Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatë të tjerë ndërkombëtarë.
Ajo theksoi se organizata është themeluar në Davos, ndërsa takimi i parë do të mbahet në Washington, D.C., ku do të përfaqësojë Republikën e Kosovës.
Sipas saj, në këtë takim pritet që disa shtete të konkretizojnë mbështetjen e tyre, ndërsa të tjera do të shprehin përkushtimin që më pas do të materializohet përmes hapave konkretë.
Presidentja theksoi gjithashtu se janë arritur rezultate pozitive në bashkëpunim me administratën Trump, përfshirë përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Ajo shtoi se kjo mbështetje reflektohet edhe në letrën e dërguar nga presidenti amerikan me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.




