Sot kanë rifilluar sesionet anti-doping të organizuara nga Federata e Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me UEFA, duke shënuar një hap të rëndësishëm për edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për sportin e pastër. Mitrovica dhe Prishtina ishin komunat e para ku u ligjërua për fëmijët e grupmoshave të ndryshme, duke u fokusuar në vlerat e ndershmërisë, shëndetit dhe respektimit të rregullave në sport.
Dr. Bernard Tahirbegolli mbajti ligjërata informative, duke ndarë njohuri profesionale dhe përvoja praktike mbi rreziqet e dopingut dhe rëndësinë e ruajtjes së shëndetit të sportistëve që nga mosha e re.
Këto sesione janë të rëndësishme për formimin e brezave të rinj sportistësh, duke i pajisur ata me njohuri të hershme për pasojat e dopingut. Bashkëpunimi me UEFA-n siguron standarde evropiane të edukimit sportiv dhe përçoi mesazhin e qartë se sporti i pastër është baza e suksesit dhe zhvillimit afatgjatë.





