Ish-gjenerali i UÇK-së, Rexhep Selimi, në fjalën e tij përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë, deklaroi se është krenar për rolin e tij gjatë luftës dhe se mbetet i gatshëm të sakrifikojë për Kosovën.
Duke komentuar kërkesën e Prokurorisë për dënim me 45 vjet burgim, Selimi tha se kohëzgjatja e dënimit synon t’ua pamundësojë kthimin në vend, por theksoi se, sipas tij, ai do të kthehet në një Kosovë të lirë. Ai shtoi se ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë edhe jetën për lirinë e vendit.
Selimi u shpreh se UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira, por si reagim ndaj dhunës sistematike, duke e cilësuar atë një ushtri vullnetare të formuar nga nevoja për mbijetesë. Ai theksoi se nuk e konsideron akuzë faktin që përmendet si bashkëluftëtar i Adem Jasharit apo si një nga themeluesit e UÇK-së, por si nder.
Sipas tij, UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç çlirimit dhe nuk ishte krijuar për të sulmuar civilë apo kundërshtarë politikë. Selimi shtoi se edhe nëse lufta do të kishte vazhduar pas qershorit 1999, ai do të kishte mbetur ushtar i vendit të tij.




