Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka shprehur shqetësim për gjendjen financiare dhe institucionale në Radiotelevizionin e Kosovës, duke kërkuar veprime të menjëhershme nga institucionet përkatëse.
Një nga kërkesat kryesore është aplikimi i pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së, si dhe harmonizimi i pagës minimale me sektorin publik.
Sindikata thekson se RTK nuk ka përfituar financimin ligjor prej 0.7% dhe se i janë hequr edhe 2.2 milionë euro, gjë që ka krijuar pasiguri financiare dhe pengon zhvillimin e institucionit.
Ata kërkojnë gjithashtu transparencë nga menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së, përfshirë raportet financiare dhe kërkesat për rritje buxheti, si dhe shqyrtimin e kontratave dhe vendimeve gjatë periudhës së pasigurisë institucionale.
Sindikata paralajmëron se, nëse këto kërkesa nuk adresohen, do të organizojë protesta dhe do të ndjekë rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, duke u bazuar në ligj dhe parimin e barazisë në sektorin publik.




