Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur fjalën e tij përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke deklaruar se është plotësisht i pafajshëm për akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Në adresimin e tij para trupit gjykues, Thaçi theksoi se gjatë procesit janë dëgjuar si akuzat e prokurorisë ashtu edhe, sipas tij, e vërteta, duke shtuar se “ekziston vetëm një e vërtetë” dhe se ai nuk mban përgjegjësi për pretendimet e paraqitura.
Ai u shpreh se nuk është penduar për angazhimin e tij gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se në kohën e ngjarjeve të vitit 1998 ishte student në Cyrih dhe se vendosi të kthehej në Kosovë pasi, sipas tij, nuk mund të qëndronte indiferent ndaj zhvillimeve të asaj kohe.
Thaçi e cilësoi të pavërtetë dhe ofenduese pretendimin se qëllimi i tij ishte marrja e kontrollit mbi Kosovën, duke theksuar se një interpretim i tillë cenon sakrificën e viktimave dhe përpjekjet ndërkombëtare të asaj periudhe.
Fjalën e tij ai e nisi me urimin për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke përcjellë mesazh urimi për qytetarët dhe duke e cilësuar 17 shkurtin si një festë madhështore për vendin.




