Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë thirrje që të gjithë pronarët e kafshëve shtëpiake, veçanërisht të qenve, të përmbushin detyrimin ligjor për identifikimin e tyre me mikroçip dhe regjistrimin në Sistemin Informativ të Agjencisë për kafshët shtëpiake. Pas regjistrimit, pronarët marrin edhe pasaportën e kafshës.
AUV thekson se mikroçipi vendoset një herë dhe kafsha e mban gjatë gjithë jetës. Ky proces siguron përcaktimin e pronësisë, kujdesin adekuat shëndetësor për kafshët dhe parandalon transmetimin e sëmundjeve nga kafshët tek njerëzit.
Pronari duhet të njoftojë çdo ndryshim të të dhënave të kafshës ose të pronarit tek shoqata veterinare kompetente, si dhe të regjistrojë rastet e ngordhjes, humbjes ose shitjes së kafshëve.
“Mikroçipimi ndihmon identifikimin e përhershëm të kafshëve, parandalon braktisjen e tyre, kontrollon shumimin dhe lehtëson gjetjen në rast të humbjes ose vjedhjes,” tha AUV.




