Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 18 vjet burgim Endrit Nikën, i akuzuar për vrasjen e një shtetaseje argjentinase në Fushë Kosovë.
Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri, i cili bëri të ditur se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025, ngjarja ka ndodhur më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje mes të pandehurit dhe viktimës, me inicialet M.K.U. Prokuroria ka pretenduar se pas përleshjes, i akuzuari e ka hedhur viktimën nga kati i gjashtë i hotelit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
E dëmtuara, pavarësisht trajtimit mjekësor në QKUK, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Prokuroria e kishte akuzuar Endrit Nikën për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.




