Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar kërkesë zyrtare te Kuvendi i Kosovës dhe te kryetarët e grupeve parlamentare për të inicuar një debat lidhur me moszbatimin e legjislacionit që garanton të drejtën për pension të moshës krahas pensioneve dhe beneficioneve për kategoritë e dala nga lufta.
Sipas IKD-së, ligji në fuqi ua njeh qytetarëve të drejtën për të përfituar të dy pensionet, dhe kjo e drejtë është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme.
Megjithatë, praktikisht kjo nuk zbatohet nga disa institucione, të cilat refuzojnë kërkesat e qytetarëve.
Gjatë dy viteve të fundit, IKD ka paraqitur rreth 700 padi për realizimin e kësaj të drejte përmes rrugës gjyqësore.
Përfaqësues të IKD-së, duke përfshirë Arrita Rezniqin dhe hulumtuesin Naim Jakaj, theksuan se çështja ka natyrë sistemike dhe kërkojnë që Kuvendi dhe institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Financave, të japin shpjegime dhe të nxjerrin aktin nënligjor që e realizon këtë të drejtë.
IKD kërkon që seanca e debatit të mbahet sa më shpejt, brenda disa javësh, për të adresuar pasojat juridike, sociale dhe financiare të mosveprimit.




