Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë që e dënoi Endrit Nikën me 18 vjet burg për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Klara në Fushë Kosovë, prindërit e viktimës kanë paralajmëruar se do të apelojnë aktgjykimin dhe do të kërkojnë dënim me burgim të përjetshëm.
Nëna e viktimës, Magdalena Delmonte, theksoi se familja gjithmonë ka besuar në drejtësinë e Kosovës dhe vlerëson punën e prokurorit, duke shtuar se Maria Klara “mund të pushojë në paqe”, por drejtësia nuk është e plotë pa një dënim më të ashpër për të akuzuarin. Babai, Facundo Urdangaray, tha se asgjë nuk mund t’i ngushëllojë për humbjen e vajzës së tyre, duke e përshkruar vrasjen si brutale.
Sipas aktakuzës, më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë Kosovë, i akuzuari ka sulmuar viktimën fillimisht jashtë dhe pastaj brenda dhomës së hotelit, duke e shtyrë dhe hedhur nga kati i gjashtë i ndërtesës. Pavarësisht trajtimit mjekësor, viktima ndërroi jetë. Prokuroria akuzon Nikën për vrasje të rëndë dhe kërkon që dënimi të rishikohet në apelin e ardhshëm.




