Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e buxhetit për vitin 2026, në vlerë prej rreth 4 miliardë euro.
Në një postim në Facebook, Kurti bëri të ditur se buxheti i miratuar parasheh 867 milionë euro për komunat, përfshin pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, si dhe dyfishimin e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind në 0.50 për qind për 15 vitet e para të shërbimit.
Po ashtu, sipas tij, buxheti përmban edhe shtyrjen e afatit për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, deri në miratimin e Ligjit të ri për Tatimin në Pronë, i cili pritet të hartohet në konsultim me komunat.
Kurti theksoi se me buxhetin e ri do të rritet mbështetja për barna esenciale, si dhe për sektorin e kulturës dhe sportit. Ai shtoi se do të ketë më shumë përkrahje për ndërmarrësit në sektorin privat, për bujqit dhe për investime në infrastrukturë publike.




