Ministria e Jashtme gjermane u ka kërkuar shtetasve të saj të largohen nga Irani, duke theksuar se ende ka fluturime komerciale dhe mundësi daljeje edhe përmes rrugëve tokësore. Sipas autoriteteve në Berlin, disa qindra gjermanë ndodhen aktualisht në Iran, ndërsa ambasada në Teheran po funksionon me staf të reduktuar dhe ofron ndihmë të kufizuar konsullore.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se Bundeswehr ka zvogëluar praninë e saj në Irbil, Irak, duke lënë vetëm personelin thelbësor.
Masat vijnë mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme dhe frikës për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak. Edhe Norvegjia ka kthyer në atdhe një pjesë të ushtarëve të saj nga rajoni për arsye sigurie.




