Me nderime të larta ushtarake, sot në Varrezat e Dëshmorëve në Baballoq të Deçanit u rivarros dëshmori i kombit Agron Gjocaj, i rënë më 18 gusht 1998 dhe që për vite me radhë ishte në Listën e Personave të Zhdukur.
Sipas Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, pas gjetjes së mbetjeve mortore gjatë vitit 2025 dhe identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesës së familjes u bë rivarrimi i tij në vendlindje.
Ceremonia u zhvillua në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë, të cilët nderuan jetën dhe sakrificën e Agron Gjocajt për lirinë e Kosovës.
Pas më shumë se 27 vitesh pritjeje dhe ankthi për familjen, rivarrimi i tij u bë me nderimin më të lartë shtetëror. Komisioni riafirmoi përkushtimin për zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur me forcë dhe për të drejtën e familjeve për të ditur të vërtetën për më të dashurit e tyre.
Lavdi dhe nderim i përjetshëm dëshmorit të kombit, Agron Gjocaj.




