Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një ligji për të larguar Prince Andrew, vëllain e Charles III, nga radha e trashëgimisë mbretërore.
Ministri i Mbrojtjes, Luke Pollard, deklaroi për BBC se ky veprim do të ishte “gjëja e duhur për t’u bërë”, pavarësisht rezultatit të hetimit policor. Aktualisht, Andrew renditet i teti në linjën e trashëgimisë për fronin.
Vitin e kaluar atij iu hoqën titujt mbretërorë pas presionit publik lidhur me lidhjet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, akuza të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht.
Andrew u lirua nën hetim 11 orë pas arrestimit me dyshimin për shpërdorim detyre në funksion publik, ndërsa Policia e Thames Valley pritet të vazhdojë kontrollet në Royal Lodge në Windsor deri të hënën.
Pollard konfirmoi se qeveria ka qenë në kontakt me Buckingham Palace për të shqyrtuar ndalimin e tij nga mundësia për t’iu afruar fronit, por theksoi se çdo hap do të merret pas përfundimit të hetimit.
Ndryshimi do të kërkonte miratimin e një akti të Parlamentit, si dhe pëlqimin e 14 vendeve të Commonwealth-it ku Charles III është kreu i shtetit. Hera e fundit që linja e trashëgimisë u ndryshua me ligj ishte në vitin 2013 me Aktin për Trashëgiminë e Kurorës, ndërsa në vitin 1936 Edward VIII u hoq nga linja e trashëgimisë pas abdikimit.




