Pakistan ka kryer disa sulme ajrore gjatë natës në territorin e Afganistan, të cilat sipas autoriteteve talebane kanë shkaktuar dhjetëra të vrarë dhe të plagosur, përfshirë gra dhe fëmijë.
Zyrtarët pakistanezë deklaruan se sulmet kishin në shënjestër shtatë kampe dhe strehimore të dyshuara të militantëve pranë kufirit mes dy vendeve, duke i cilësuar ato si “përgjigje ndëshkuese” ndaj shpërthimeve vetëvrasëse të fundit në Pakistan. Sipas tyre, ekzistojnë prova se sulmet terroriste janë planifikuar nga militantë që strehohen në Afganistan.
Nga ana tjetër, autoritetet në Kabul i dënuan sulmet, duke pretenduar se ato goditën shtëpi civile dhe një shkollë fetare në provincat Nangarhar dhe Paktika. Zyrtarë lokalë në Nangarhar raportuan se rreth 20 anëtarë të një familjeje, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në një nga sulmet.
Tensionet mes dy vendeve mbeten të larta, pavarësisht një armëpushimi të brishtë të arritur në tetor, ndërsa kufiri 2,574 kilometra i gjatë vazhdon të jetë vatër përplasjesh dhe akuzash reciproke.




