Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave Gazetare kanë publikuar një hulumtim mbi përhapjen e gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore në rrjetet sociale dhe mediat online.
Raporti analizon komente, postime dhe përmbajtje që synojnë gratë gazetare, veçanërisht kur trajtojnë tema të ndjeshme ose tabu.
Ekspertja gjinore Leonida Molliqaj vuri në dukje se gratë shpesh bëhen objekt sulmesh online, që përbëjnë një formë të dhunës me bazë gjinore dhe duhet të trajtohen si të tilla. Autorja e raportit, Getoarbë Mulliqi, tha se dokumenti shërben si udhëzues analitik për identifikimin e gjuhës së urrejtjes dhe për të mbështetur gratë që përballen me diskriminim dhe presion në media.
Raporti evidenton se hapësira online është veçanërisht problematike, ku gratë sulmohen për aspektet personale dhe gjininë e tyre, duke përfshirë edhe mënyrën se si raportohen rastet e dhunës në familje. Ai gjithashtu thekson rëndësinë e përmbajtjes së kujdesshme mediale dhe ndikimin e platformave si Facebook, TikTok dhe YouTube në përhapjen e mesazheve negative ndaj grave.
AGK shpreson që ky raport të nxisë vetëdije dhe masa mbrojtëse për gratë gazetare, duke kontribuar në një ambient më të sigurt dhe të barabartë në media./EO/




