Të rinjtë e Kosovës nuk do t’i nënshtrohen shërbimit të detyrueshëm ushtarak, pasi Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka vendosur të aplikojë konceptin e “mbrojtjes totale”.
Sipas këtij modeli, qytetarët – pavarësisht profesionit – mund të kryejnë shërbim vullnetar. Ministria thekson se ky sistem është më i menaxhueshëm logjistikisht dhe në përputhje me praktikat e shumë vendeve anëtare të NATO-s, duke e trajtuar mbrojtjen si përgjegjësi gjithëpërfshirëse të shtetit dhe shoqërisë.
Koloneli në pension Hysen Gecaj e ka mirëpritur këtë qasje, duke theksuar se sistemi i mbrojtjes nuk varet vetëm nga Forca e Sigurisë së Kosovës, por edhe nga institucione si Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.
Ai sugjeroi gjithashtu futjen e lëndës së mbrojtjes në shkolla dhe trajnime praktike disa javore në kazermat e FSK-së si alternativë më pak e kushtueshme për buxhetin e shtetit.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti gjatë mandatit të parë kishte paralajmëruar realizimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por iniciativa tashmë është mbyllur.




