Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar ndaj mospërfshirjes, sipas tyre, të kategorive të dala nga lufta në Këshillin për shënimin e 28-vjetorit të Epopeja e UÇK-së, duke kundërshtuar formën e komunikimit nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.
Në reagim thuhet se emaili i ministrisë, ku pjesëmarrja në “Grupin Punues” cilësohej si “e domosdoshme”, kishte karakter urdhërues dhe jo ftesë për bashkëpunim institucional. OVL UÇK thekson se përfaqësimi i organizatave të dala nga lufta në Këshillin Shtetëror është vetëm formal dhe i vonuar, duke bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në Grupin Punues dhe se ka themeluar një këshill të vetin organizativ.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes i ka cilësuar këto pretendime si të pasakta dhe të pabazuara. Sipas saj, me vendim të Qeverisë është themeluar Këshilli Shtetëror për shënimin e përvjetorit, i kryesuar nga ministri Ejup Maqedonci dhe bashkëkryesuar nga ministri Andin Hoti.




