Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Washington, D.C., me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së vendit.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve amerikane, trupi diplomatik, komuniteti shqiptaro-amerikan dhe miq të Kosovës. Ahmeti theksoi se data 17 Shkurt përfaqëson një moment historik për popullin e Kosovës dhe simbolizon partneritetin e fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai nderoi sakrificën e të gjithë atyre që humbën jetën gjatë luftërave dhe gjenocidit serb në Kosovë, duke theksuar se liria e Kosovës u fitua përmes qëndresës dhe sakrificës. Ahmeti shprehu falënderim të veçantë për Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në forcimin e shtetësisë, demokracisë dhe zhvillimit të vendit.
Zëvendësministri gjithashtu vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në SHBA, e cila ka qenë aktive për çështjen e Kosovës për më shumë se një shekull dhe vazhdon të jetë një urë lidhëse mes dy vendeve.
Duke e cilësuar Kosovën si një histori suksesi të qëndresës, demokracisë dhe partneritetit transatlantik, Ahmeti theksoi se rruga e vendit ka qenë e gjatë dhe e mbushur me sfida.
Ai rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm dhe kontribues aktiv për paqe, stabilitet dhe zhvillim në rajon dhe më gjerë.




