Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar ndaj vendosjes së pagesës ditore për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve mbi 15 vjeç në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme.
Sipas KOMF, ky vendim bie ndesh me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe me konventat ndërkombëtare, pasi fëmijë konsiderohet çdo person nën 18 vjeç.
Organizata thekson se prania e prindit gjatë hospitalizimit është thelbësore për mirëqenien e fëmijës dhe nuk duhet të shoqërohet me barrë financiare.
KOMF u bën thirrje institucioneve që ta rishqyrtojnë vendimin, duke vendosur në fokus interesin më të mirë të fëmijës.




